. Apel ndaj pjesëmarrësve në garën zgjedhore: gazetarët duhet të punojnë në kushte të sigurta – Flaka Plus

Apel ndaj pjesëmarrësve në garën zgjedhore: gazetarët duhet të punojnë në kushte të sigurta

Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë (SHGM) u bën apel të gjithë aktorëve politikë që marrin pjesë në zgjedhjet e parakohshme parlamentare, si dhe Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, por edhe organizatave të shoqërisë civile që kanë rolin e vëzhguesve, të organizojnë ngjarjet dhe aktivitetet publike duke respektuar të gjitha protokollet shëndetësore.

Gazetarët dhe punonjësit mediatik luajnë një rol jashtëzakonisht të rëndësishëm në informimin e qytetarëve për aktivitetet parazgjedhore dhe programet e partive politike. Përmes informimit profesional, gazetarët dhe mediat ndihmojnë votuesit të vendosin se për kë do të votojnë, dhe kjo veçanërisht do të vjen në shprehje në këto zgjedhje, duke pasur parasysh krizën shëndetësore dhe faktin që fushatat dhe aktivitetet partiake do të organizohen kryesisht në media dhe në rrjetet sociale.

Prandaj, kërkojmë nga të gjithë pjesëmarrësit në procesin zgjedhor, të cilët do të organizojnë konferenca për shtyp, deklarata për mediat dhe ngjarje të tjera për informimin e gazetarëve, të respektojnë protokollet shëndetësore kur kryejnë këto aktivitete. Kjo do të thotë që organizatori do të duhet të organizojë ngjarjet për gazetarët në vende të hapura, nëse kushtet e motit e lejojnë atë, ose të sigurojë hapësirë në të cilën do të garantohet distanca e duhur midis të gjithë pjesëmarrësve.

Në të njëjtën kohë, për të mbrojtur gazetarët dhe punonjësit e mediave, organizatorët e ngjarjeve duhet të sigurojnë pajisje mbrojtëse (maska, doreza dhe mjete dezinfektimi) për të gjithë të pranishmit. Kjo është veçanërisht e rëndësishme në kushte kur kriza shëndetësore e shkaktuar nga KOVID-19 në vendin tonë është përkeqësuar dhe numri i qytetarëve të infektuar dhe të vdekur është në rritje gjatë javëve të fundit.

U bëjmë thirrje pronarëve dhe menaxherëve të mediave gjithashtu të krijojnë kushte të sigurta për gazetarët dhe punonjësit e mediave në vendin e punës, por edhe në teren. SHGM pak më parë publikoi një botim me udhëzime për raportim të sigurt dhe profesional në kushte të pandemisë dhe atë mund ta gjeni në këtë hallkë.

Më në fund, kujtojmë kolegët tanë se ata kanë për detyrë të raportojnë profesionalisht gjatë tërë procesit zgjedhor duke respektuar Kodin Etik të Gazetarëve. Më shumë informata mbi rregullat etike dhe ligjore për raportimin për zgjedhjet mund të gjeni në këtë publikim.