Momenti i tmerrshëm kur pitoni i uritur gëlltit posumin të tërë në Australi

Ky është momenti i tmerrshëm kur një piton gjigand gëlltit të plotë një posum në kopshtin e një shtëpie në Australi.

Marsupiali tipik australian posum, mund të arrijë deri në 1 metër gjatësi, por pitoni e vrau atë dhe menjëherë e ktheu në një vakt që do t’i zgjasë për afro një javë.

Në ngjarje u thirr eksperti i gjarpërinjve Stuart McKenzie, kur vendasit panë skenën makabre. Kur ai mbërriti, pitoni qëndronte varur nga çatia, duke gëlltitur prenë me bisht me unaza.

Për të mos shqetësuar vaktin e ngrënies së pitonit, Stuart priti rreth një orë derisa ai e kaloi posumin në bark.

Gjatë kësaj kohe ai bëri disa foto: “Mora një telefonatë nga një rezidencë dhe kur erdha pashë pitonin që ishte varur nga çatia e shtëpisë me posumin në gojë. E kuptova se sapo kishte nisur vaktin e tij të ngrënies dhe duhet ta lija ta mbaronte. Kjo sepse nëse e shqetësoja ai mund ta lëshonte ushqimin e tij dhe nuk do ta prekte më. U ula me banorët dhe prita. Njerëzit ishin të intriguar nga ngjarja”.

Pitonët mbështillen rreth presë së tyre deri sa i marrin frymën dhe më pas e gëlltisin të gjithën përnjëherë. Nofullat e tyre gjigande mund të dalin nga vendi për të lejuar kalimin e presë së madhe.

Më pas Stuart e transportoi gjarprin në pyll ku të mund të treste në paqe vaktin e tij.