. Larja e shpeshtë e duarve: Si të pengoni tharjen e lëkurës dhe ekzemën – Flaka Plus

Larja e shpeshtë e duarve: Si të pengoni tharjen e lëkurës dhe ekzemën

Në këto ditë pandemie, është më se e nevojshme që të mbajmë higjienën e lëkurës në nivelin më të lartë. Në këtë kujdes të shtuar, duart janë ato që vuajnë më së shumti nga dëmtimi i shtresës hidrolipidike të lëkurës – shtresë kjo e domosdoshme për të ruajtuar funksionet normale të lëkurës

Ass. Msc. Krenar Dobroshi
Farmacist & Magjistër për Kozmetologji
Qendra dermatolgjike – estetike “estethica”
facebook.com/estethica.prishtine
044/049 344-284, 038/733-407
krenar.dobroshi@estethica-ks.com

Edhe pse larja e duarve është gjëja themelore në higjienë, është fakt që këtë tani e bëjmë më shpesh. Me atë rast duhet të dini që pikërisht pastrimi me xhele dhe mjete për dezinfektim, të cilat po bëhen gjithnjë e më të popullarizuara edhe te ne, shkatërrojnë intensivisht pjesën e sipërme të shtresës së lëkurës, me ҫrast është e domosdoshme të përdoren kremra për duar për ta mbajtur ujësimin në nivelin e duhur.

Duart duhet larë çdoherë para dhe pas prekjes së ushqimit, pas shkuarjes në tualet apo ndërrimit të pelenave, pas teshtitjes, kollitjes apo fryrjes së hundëve, çdo herë kur ktheheni në shtëpi.

Kur nuk keni mundësi t’i lani duart, përdorni mjete për dezinfektim me së paku 60% alkool. Edhe pse larja e duarve dhe përdorimi i mjeteve për dezinfektim janë vendimtare për luftën kundër përhapjes së virusit, kanë edhe ndikim të dëmshëm në lëkurë.

Shumica këto ditë ankohen se i kanë duart të thata, të çara dhe të përflakura, prandaj janë edhe në rrezik më të madh nga infektimi.

Larja e shpeshtë e duarve dhe përdorimi i mjeteve të forta kimike dëmtojnë integritetin e barrierës natyrale të lëkurës, gjë që çon deri aty që duart bëhen të thata, të dhembshme dhe të irrituara.

Nëse keni dëmtuar lëkurën, ajo bëhet më pak efikase si pengesë e infeksionit, prandaj kremi hidratues është me rëndësi esenciale – mirëpo assesi mos hiqni dorë nga larja e duarve!

Shumica të cilët nuk u përmbahen të gjitha rekomandimeve do të marrin ekzemën irrituese kontaktuese – ekzemë e shkaktuar nga kimikatet, në të cilat natyrisht edhe sapuni bën pjesë.

Prandaj të gjithë pyesim se çfarë duhet të ndërmarrim në mënyrë që të mbrohemi nga infektimi, por të mbrojmë lëkurën e duarve.

Disa këshilla të cilat do të pengojnë tharjen e lëkurës dhe irritimin

▪ Losionet për duar janë varianti më i butë dhe me siguri janë të mjaftueshme, mirëpo kjo dallon varësisht prej personit. Meqenëse losionet të cilat përmbajnë vetëm ujë, nuk do të jenë njësoj të efektshme si këto dy mundësi të tjera në vijim.

▪ Kremrat janë më të dendur, sepse janë kombinim i vajrave dhe ujit. Zakonisht nuk lënë gjurmë ngjitëse, që i bënë praktike për përdorim.

Rekomandimi ynë është panthenoli, si edhe kremi nga kumaku me panthenol. Njihet ndryshe edhe si vitamina B-5, e lirë në kosto dhe efikase në përdorim.

▪ Mjetet më të forta për hidratim janë yndyrat, të cilat mund t’i përdorni natën kur nuk keni nevojë t’i lani duart.

Lyeni një shtresë të trashë të ndonjë yndyre për kurën e duarve, siç është yndyra nga kumaku apo vaji i kokosit, vishni doreza pambuku dhe kështu flini gjumë.

▪ Për cilindo variant të vendosni, përdorni produktin për hidratim pas çdo larjeje të duarve. Nëse kjo nuk ndihmon, duhet provuar me tretmanët më intensivë, siç janë maskat të cilat do t’i vendosni në duar, mbi to vishni dorëza apo mbështillni me folie dhe lini të veprojë nga 10 deri në 20 minuta apo gjatë natës.

Në treg ka preparate të ndryshme kozmetike për këtë qëllim, mirëpo mund të bëhen edhe nga artikujt të cilët me siguri i keni në kuzhinë. Aty natyrisht është edhe vazelina dhe parafina të cilat gjenden në çdo barnatore. Nuk kushtojnë shumë dhe janë edhe shumë efikase si edhe vaji i ullirit.

▪ Kur të pastroni shtëpinë me mjete agresive kimike, patjetër bartni dorëza mbrojtëse. Bartja e dorëzave do të ofrojë shtresë plotësuese dhe janë posaçërisht të dobishme me rastin e pastrimit, sepse produktet për pastrim në amvisëri përmbajnë kimikate agresive të cilat dëmtojnë lëkurën dhe shkaktojnë dermatitin.

Dorëzat e gomës duhet t’i bartni shkurtimisht, sepse mund të përkeqësojnë gjendjen e lëkurës. Në dorëza mbetet djersa e cila e irriton dukshëm lëkurën.

▪ Thani mirë duart pas larjes. Krahas larjes së rregullt, fshirja jo e drejtë dhe tharja e duarve mund të ketë edhe më shumë ndikim që lëkura të bëhet e thatë, sepse yndyra natyrale e lëkurës avullon bashkë me lagështinë.

▪ Përdorni ujin e mesatarisht të ftohët. Uji i nxehtë ka tendencë që të shkaktoj dehidrimin e duarve, pra të lëkurës në përgjithësi.

▪ Në kushtet shtëpiake është në rregull t’i thani duart me peshqir, ndërsa për objekte afariste këshillohen shami letre. Tharësit e duarve nuk janë të përshtatshëm në këto situata, sepse duart megjithatë mbeten të lagështa pas përdorimit të tyre, ndërkaq lagështia është e përshtatshme për shumim të baktereve.

Nëse duart ju mbeten të lagështa, mos i thani duke i fshirë në pantallona apo rroba, sepse pastaj duart sërish do t’i keni të papastra. Peshqirët në shtëpi duhet sa më shpesh t’i ndërroni, posaçërisht nëse i përdorin më shumë anëtarë të familjes.

▪ Tharja e plotë e duarve është me rëndësi edhe për zvogëlimin e bartjes dhe përhapjes së baktereve dhe viruseve, sepse ata më lehtë qëndrojnë në lëkurë të lagësht.

Nëse keni ekzemë, është e dobishme të përdorni sapunë të butë kremozë, apo madje mjete për larje pa sapun, me kusht që të respektoni të gjitha veprimet e larjes së duarve të cilat i kemi përshkruar. Kërkoni mjete për larje të duarve të cilat përmbajnë përbërës hidrantë siç është urea. Nëse ekzema nuk tërhiqet, patjetër shkoni te dermatologu. Ai do të shqyrtojë përdorimin afatshkurtër të kremrave me bazë kortikosteriodesh.

Kërkoni ndihmë profesionale

Nëse duart ju janë të përflakura, ju kruhen, ju janë të ënjtura apo ju dhembin dhe gjendja e këtillë nuk kalon, patjetër duhet të kërkoni ndihmën e dermatologut dhe të konstatoni cili është shkaku i gjendjes së tillë, përkatësisht, a është fjala për alergjinë, ekzemën apo dermatitin. /Telegrafi/ SHFAQ KOMENTE