. Vendoset në funksion spitali mobil – Flaka Plus

Vendoset në funksion spitali mobil

Numri i personave të infektuar me koronavirusin e ri në botë e ka tejkaluar njëmilionëshin. Shumica e rasteve janë në SHBA, Itali dhe Spanjë. Në vend dje janë regjistruar 30 raste të reja, me ç’rast numri i të infektuarve është 384 persona. Autoritetet po e presin kulmin nga fundi i muajit prill, ndërsa përkundër masave të marra tashmë, prej javës së ardhshme në funksion të plotë do të vendoset edhe spitali mobil që do ta dyfishojë kapacitetin e klinikës së Sëmundjeve Infektive, njofton Koha.mk

“Sinqerisht shpresoj se nuk do të nevojitet. Tani për tani diçka mbi 50 për qind është plotësuar kapaciteti i Klinikës”, deklaroi dje ministri i Shëndetësisë Venko Filipçe i cili e vizitoi lokacionin në të cilin është i vendosur spitali së bashku me zëvendëskryeministren dhe ministren e Mbrojtjes, Radmilla Shekerinska, dhe kryetarin e Qytetit të Shkupit, Petre Shilegov

Filipçe beson se do të kemi kurbë të pranimit të pacientëve të rinj, e cila praktikisht do të jetë e amortizuar nga Klinika për sëmundje infektive.

Në spitalin mobil do të ketë 130 shtretër, ndërsa sipas ministrit, lokacioni është i mirë sepse këtu është edhe qendra e ekspertizës, gjegjësisht specialistët e mjekësisë infektive, infermierët dhe ekipi rezervë nga klinikat e tjera.

Sipas zëvendëskryeministres Shekerinska, nuk është tepër vonë për vendosjen e spitalit mobil sepse do të ishte e papërgjegjshme që spitali të aktivizohej pesë javë më parë dhe të qëndron pa asnjë pacient.

“Spitali duhet të jetë këtu kur kapaciteti i Spitalit Infektiv është i mbushur. Nëse sot do të kishte pacientë që nuk mund të pranohen, unë do të tregoja se dikush ka mbetur vonë. Por ne jemi të gatshëm paraprakisht për nevojën e mundshme nga rritja e kapacitetit”, tha dje Shekerinska në deklaratë për mediat.