. Filipçe: Pesë persona nga Klinika për Sëmundje të Lëkurës pozitiv ndaj koronavirusit – Flaka Plus

Filipçe: Pesë persona nga Klinika për Sëmundje të Lëkurës pozitiv ndaj koronavirusit

Pesë nga 29-të rastet e reja pozitive ndaj koronavirusit janë persona që kanë pasur lidhje me ish-drejtoreshën e Klinikës për Sëmundje të Lëkurës. Ata janë asimptomatik, pa simptoma të sëmundjes, por testet e tyre ndaj koronavirusit janë pozitivë. Personat kanë qenë dhe do të mbeten në izolim shtëpiak dhe do të jenë në kontakt me mjekët e Klinikës Infektive.

Siç sqaroi ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe, nga numri i përgjithshëm i personave të cilët kanë pasur lidhje me drejtoreshën, të cilët kanë qenë në vetizolim, janë testuar tridhjetë, ndërsa pozitivë kanë qenë vetëm pesë të përmendurit. Gjatë periudhës së ardhshme, shtoi ministri, do të testohen edhe personat e tjerë.

“Nga 29-të rastet e reja pesë janë nga Klinika e Lëkurës të cilët pas 16 ditëve të kaluara në izolim janë pa kurrfarë simptomash, por në testimet e bëra, duke e pasur parasysh se ka kaluar periudha e inkubacionit, ata kanë rezultat pozitiv. Personat janë në gjendje të mirë shëndetësore, janë asimptomatikë, do të mbeten në vetizolim shtëpiak dhe në pajtim me gjendjen e tyre në komunikim intensiv me kolegët e Klinikës Infektive”, tha ministri i Shëndetësisë.

Sipas tij, mirë është që një pjesë e rasteve të reja janë duke u zbuluar në fazë të hershme, pasi, siç tha, kjo do të thotë se sistemi shëndetësor mund ta amortizojë numrin e pacientëve. Apeloi që qytetarët t’i respektojnë masat, pasi, siç potencoi, prej të gjitha përvojave të vendeve të tjera dhe prej studimeve mund të shihet se, krahas anketave epidemiologjike testimi kur të përfundojë periudha e inkubacionit, më e mira që mund të bëhet është respektimi i vetizolimit dhe ndërprerja e kontakteve sociale.

Ministri Filipçe paralajmëroi se gjatë kësaj fundjave apo nga fillimi i javës së ardhshme do të publikohet statistikë detajuese për atë se çfarë ndodh me numrin e pacientëve, do të shfaqen qartë diagramet dhe numrat, por edhe pritshmëritë me përqindjen e mundshme të gabimit, në pajtim me analizën e epidemiologëve.

Ministri Filipçe tha edhe se në Klinikën Infektive para dy ditësh janë bërë edhe testime kontrolluese tek katër pacientë të cilët për një kohë të gjatë trajtohen atje dhe se janë negativë. Nga të katërtit, shtoi ministri, të tre janë në gjendje mjaft të mirë dhe tek të gjithë do të merren strisho kontrolluese gjatë ditës së nesërme. Nëse janë negative, që të tre do të shkojnë për mjekim shtëpiak.

“Gjendja e tyre gradualisht është duke u përmirësuar dhe në pajtim me analizat aktuale në mushkëri, statusi klinik, në pajtim me testimet shumë të vogla janë gjasat në këtë fazë të mjekimit të vijë drejt komplikimit apo përkeqësimit”, tha ministri i Shëndetësisë.

Në 24 orët e kaluara janë regjistruar 29 raste të reja të koronavirusit në vend, numri i përgjithshëm i të prekurve është 177 persona.