. Gjendje e jashtëzakonshme në vend – Qeveria, institucionet, partitë, por edhe qytetarët para një sfide të madhe – Flaka Plus

Gjendje e jashtëzakonshme në vend – Qeveria, institucionet, partitë, por edhe qytetarët para një sfide të madhe

Vendi është në gjendje të jashtëzakonshme. Për herë të parë që nga pavarësia e saj. Vendimi u mor dje për ballafaqim me koronavirusin në mënyrë më efektive. U kumtua nga Presidenti Stevo Pendarovski. Ai tha se vijojnë ditë të vështira për ne dhe se të gjithë, institucionet, politikanët, ekonominë dhe qytetarët, duhet të jenë po aq të përgjegjshëm, të gjithë në fushën e tyre.

Gjendja e jashtëzakonshme do të zgjasë 30 ditë. Në këtë periudhë Qeveria deri te Pendarovski do të duhet të dorëzojë raport për efektet nga masat e sjella për mbrojte nga koronavirusi, çdo ditë ta informojë për aktivitetet e ndërmarra për planet e azhurnuara për veprime në të ardhmen.

“Na presin ditë të vështira. Pres që Qeveria, e cila në periudhën e ardhme do ta ketë përgjegjësinë më të madhe, do të jetë me të vërtetë në nivelin e detyrës dhe të përvojave të cilat i sjellë momenti aktual politik dhe historik. Por, edhe qytetarët duhet të jenë të disiplinuar dhe përgjegjës, të mos dalin nga shtëpia pa nevojë të madhe, t’i ndjekin informacionet nga kompetentët dhe t’i respektojnë rekomandimet. Politikanët, duhet t’i lënë mënjan të gjitha debatet, analizat dhe kalkulimet për fitimin e votave ose mandateve të deputetëve sepse ato janë të pavlefshme në krahasim me më të çmuarën: mbrojtjen e jetës së qytetarëve tanë”, porositi presidenti Stevo Pendarovski pasi shpalli gjendje të jashtëzakonshme në shtet për menaxhim më efikas me koronavirusin.

“Pak më parë e nënshkrova vendimin për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme në territorin e gjithë shtetit. Fakti që për herë të parë që nga pavarësia jonë shpalim gjendje të jashtëzakonshme tregon se sa është situata e ndërlikuar në shtet. Zgjedhjet do të duhen të shtyhen, ndërsa do të caktohen madje kur për këtë do të krijohet rasti”, theksoi Pendarovksi në paraqitjen e tij të jashtëzakonshme.

Qytetarët edhe një herë i porositi që të rrinë në shtëpi dhe mos udhëtojnë jashtë vendit.

Ai tregoi edhe sa e madhe është përgjegjësia e Qeverisë tani, duke pasur parasysh se do të mund të sjellë vendime me fuqi ligjore me qëllim të vendosjes së kufizimeve më të mëdha për lëvizjen e njerëzve, por edhe sigurimin e më shumë mjeteve për mbështetje të ekonomisë e cila por hyn në një periudhë të krizës.

Sa i përket zgjedhjeve, tha se do të duhet të shtyhen, ndërsa do të caktohen kur për këtë të krijohen kushtet.

Edhe një herë i porositi qytetarët – të mos dalin nga shtëpia pa pasur nevojë të madhe, t’i ndjekin informacionet nga kompetentët dhe t’i respektojnë rekomandimet. Ata të cilët po qëndrojnë jashtë shtetit Pendarovski i porositi se është më së miri të qëndrojnë aty ku janë për momentin derisa zgjat kjo situatë, sipas rekomandimeve të OBSH-së. Nëse vendosin të kthehen në shtëpi, jeni të mirëseardhur, siç theksoi, por duhet ta dinë se duhet t’i respektojnë të gjitha masat, e kjo nënkupton edhe mundësinë që të vendosen në karantinë.

Shpalljen e gjendje së jashtëzakonshme e kërkoi Qeveria, ndërsa me një qëndrim të tillë paraprakisht dolën edhe liderët LSDM-së dhe të VMRO-DPMNE-së, Zoran Zaev dhe Hristian Micskoski.

Propozimin e Qeverisë për shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme e bëri të ditur dhe e shpjegoi kryeministri Oliver Spasovski , pas çka ishte dorëzuar deri te kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi. Xhaferi e dërgoi deri te Pendarovski i cili si shef i shtetit, ka kompetenca që të shpallë gjendje të jashtëzakonshme.

“Qeveria tashmë nuk ka më asnjë dilemë. Për këtë në seancën e sotme kemi vendosur gjendje të jashtëzakonshme, tani dhe menjëherë. Masat i kanë dhënë rezultatet e pritura, por duhet të përforcohen me vendosje të gjendjes së jashtëzakonshme që të pengojmë kulm akoma më të madh. Jemi të bindur se kjo mund të rregullohet vetëm me gjendje të jashtëzakonshme”, përmendi Spasovski në konferencën për shtyp në Qeveri.

Kryeministri sqaroi se Kuvendit shpall gjendje të jashtëzakonshme, por nëse është i shpërbërë, ekziston dispozitë kushtetuese që këtë ta bëjë presidenti i shtetit – ai mund së shpallë gjendje të jashtëzakonshme në kohëzgjatje prej 30 ditëve. Spasovski potencoi edhe se shteti ynë për herë të parë në historinë e saj do të japë një masë të tillë. Vendosja e gjendjes së jashtëzakonshme është një nga vendimet më të vështira që e ka marrë cilado qeveri.

Në gjendje të jashtëzakonshme shteti dhe shoqëria vazhdojnë të funksionojnë, ndërsa të drejtat dhe liritë nuk kufizohen me automatizëm, theksoi kryeministri Oliver Spasovski në një shkrim të tij në Fejsbuk. Theksoi se gjendja e jashtëzakonshme të cilën e shpalli presidenti Stevo Pendarovski i jep mundësi Qeverisë që të sigurojë kushte për zbatim të shpejtë dhe efikas të gjendjes shëndetësore të qytetarëve, si dhe kushte për biznesin dhe ekonominë të funksionojnë normal.

“Ky vendim nuk nënkupton kurrfarë ngadalësimi të transportit të lirë, e as në pjesën e nevojave ushqimore të qytetarëve, e as në pjesën e furnizimit të spitaleve dhe barnatoreve. Nesër gjithçka vazhdon të funksionojë në jetën e përditshme njëjtë si edhe sot”, shkroi Spasovski.

Kufizimet e qarkullimit të qytetarëve, kufizime për tubime si dhe kufizime për kryerjen e disa aktiviteteve dhe kufizimeve , janë një pjesë e masave që pritet të miratohen.