. Shteti ka mjaftueshëm rezerva ushqimore – Flaka Plus

Shteti ka mjaftueshëm rezerva ushqimore

Dyqanet dhe distributorët për ushqim kanë mjaftueshëm mjete ushqimore për 30 deri 45 ditë. Nga autoritetet shtetërore, u bëhet thirrje qytetarëve të mos bëjnë panik.


Ministri i Ekonomisë, Kreshnik Bekteshi, është takuar me pronarët dhe menaxherët e marketeve dhe të distributorëve. Ai njoftoi se ka marrë garanci nga ata se nuk do të rriten çmimet dhe se ka mjaftueshëm rezerva ushqimore për produktet bazë.

Ministri, pas takimit tha që ka numër të madh produktesh në dispozicion dhe nuk ka nevojë të krijohet panik te qytetarët. “Unë i njoftova edhe me masën e re të Qeverisë për ndalesën për rritjen e çmimeve. Së bashku me inspektoratin e tregut do të ndjekim situatën dhe do t`i rrisim kontrollet nëpër barnatore dhe dyqane, nëse vërehet se ka pa rregullsi do të shqiptohet gjobë”, tha Bekteshi. Ndërkaq edhe importuesit edhe distributorët theksuan se nuk ka vend për panik sepse në depot e shtetit, ka mjaftueshëm rezerva të produkteve ushqimore për periudhë një mujore dhe se qarkullimi i mallrave po vazhdon, respektivisht do të ketë edhe mallra të reja. Ata shtuan se situata është në kontroll.

Nga Shoqata për mbrojtjen e konsumatorëve, për gazetën KOHA, kanë thënë se i mbështesin masat e Qeverisë dhe bëjnë apel që të respektohen si nga konsumatorët ashtu edhe nga pronarët e marketeve. “Ne u bëjmë thirrje pronorëve që të mos e shfrytëzojnë këtë krizë për përfitime personale. Gjithashtu bëjmë apel te qytetarët të mos blejnë produkte ushqimore me tepricë dhe pa nevojë , sepse të njëjtave mund t’iu skadoi afati për përdorim për një kohë të shkurt”, nënvizojnë nga atje. Ata thanë se nëse qytetarët vërejnë ndonjë pa rregullsi apo ngritje të çmimeve, ta paraqesin në inspektoratin e tregut.

Ndërkohë drejtori i Qendrës për menaxhim me kriza, Agron Buxhaku, ka thënë se në kuadër të shtabit të përgjithshëm që kemi krijuar jemi duke e ndjekur situatën në Komunën e Dibrës dhe Qendrës Zhupë. “Jemi vazhdimisht në koordinim me qendrën tonë rajonale në Dibër, që t’i përmbushim kërkesat e qytetarëve atje. Të gjitha kërkesat që na vijnë nga atje i dërgojmë te institucionet kompetente. Është dita e tret që kërkohet të zgjidhet problemi me furnizuesin e qumështit në dy komunat më të rrezikuara”, është shprehur Buxhaku.