. Çdo do të thotë gjendje e jashtëzakonshme në Maqedoni? – Flaka Plus

Çdo do të thotë gjendje e jashtëzakonshme në Maqedoni?

Maqedonia tashmë për një kohë të gjatë po lufton me pandeminë e coronavirusit duke ndërmarrë masa për të parandaluar përhapjen e coronavirusit, siç janë pushimi në shkolla, mbyllja e lokaleve, mbyllja e kufijve, reduktimi i administratës, ndalimi i tubimeve masive, lirimi i njërit prind nga puna që kanë fëmijë deri në 10 vjet etj.

Aktualisht në Maqedoni ka 35 pacientë të infektuar me coronavirus, ndërsa mijëra të tjerë ndodhen në vetizolim për shkak se kanë ardhur nga vendet me rrezik të lartë apo të mesëm.

Sipas Kushtetutës së Republikës së Maqedonisë së Veriut, gjendja e jashtëzakonshme paraqitet kur ndodhin fatkeqësi të mëdha natyrore ose epidemi.

– Ekzistimin e gjendjes së jashtëzakonshme në territorin e Republikës së Maqedonisë së Veriut ose të një pjese të saj e cakton Kuvendi me propozim të Presidentit të Republikës, Qeverisë ose së paku të 30 deputetëve.

– Vendimi me të cilin caktohet ekzistimi i gjendjes së jashtëzakonshme merret me shumicë prej dy të tretave të votave nga numri i përgjithshëm i deputetëve dhe vlen më së shumti 30 ditë.

– Nëse Kuvendi nuk mund të mblidhet, vendimin për ekzistimin e gjendjes së jashtëzakonshme e merr Presidenti i Republikës dhe ia paraqet Kuvendit për konfirmim sapo ai të ketë mundësi të mblidhet.

– Në rast të ekzistimit të gjendjes së luftës ose gjendjes së jashtëzakonshme Qeveria në përputhje me Kushtetutën dhe me ligjin miraton urdhëresa me fuqi ligjore.

-Autorizimi i Qeverisë që të miratojë urdhëresa me fuqi ligjore zgjat deri në përfundimin e gjendjes së luftës ose gjendjes së jashtëzakonshme, për të cilën vendos Kuvendi.